Një dukuri interesante që është vërejtur në Anketën e Fuqisë Punëtore në Kosovë për tremujorin e parë të vitit 2018 ka të bëjë me dembelinë e të papunëve kosovarë. Konkretisht ata nuk kanë qenë aktiv për të kërkuar një vend pune.
“Nga popullsia në moshë pune, 60.8 % nuk janë ekonomikisht aktivë, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh”, thuhet në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), e cila publikohet nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Por nëse e kthejmë përqindjen në numra, i bie që në tremujorin e parë të këtij viti kanë qenë 722 mijë e 314 persona jo-aktivë. Prej tyre, 231 mijë e 70 persona ishin burra dhe 491 mijë e 244 persona ishin gra.
Sipas AFP-së, nga 39.2 për qind e popullsisë, që është ekonomikisht aktive, 26.5 % (123,464 persona) janë të papunë. Kjo do të thotë se 60.8 % (342,368) e personave ekonomikisht aktivë janë të punësuar, duke krijuar një raport punësimi ndaj popullsisë (shkalla e punësimit) prej 28.8 %.
Dallime të mëdha gjinore në tregun e punës
Në këtë raport që ka dalë nga anketimet në terren, rezulton se ekzistojnë dallime të mëdha gjinore në tërë tregun e punës. Një në pesë (16.6 %) femra në moshë pune janë aktive në tregun e punës, krahasuar me rreth tri te pestat (61.4 %) e meshkujve në moshë pune. Në mesin e personave në fuqinë punëtore, papunësia është më e lartë për femrat se sa për meshkujt (28.7 % krahasuar me 25.9 %).
“Shkalla e punësimit në mesin e femrave në moshë pune është vetëm 11.8 %, krahasuar me 45.5 % për meshkujt. Kjo shkallë shumë e ulët e papunësisë te femrat rrjedh nga kombinimi i pjesëmarrjes shumë të ulët në fuqinë punëtore dhe papunësisë së lartë”, thuhet në raport.
Po sipas raportit në fjalë, femrat ishin të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, të tregtisë dhe të shëndetësisë (51.2 % e femrave të punësuara). Meshkujt ishin kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit (duke punësuar 42.4 % të meshkujve të punësuar)”, thuhet në raportin e AFP-së.
Rezultatet sërish tregojnë se papunësia tek të rinjtë vazhdon të jetë shumë e lartë në Kosovë. Në tremujorin e parë të vitit 2018, të rinjtë në Kosovë kishin gjasa dy herë më shumë të jenë të papunë krahasuar me të rriturit. Në mesin e personave të moshës 15-24 vjeçare dhe në fuqinë punëtore, 54.0 % ishin të papunë.
Edhe në këtë aspekt, papunësia është më e lartë te femrat e reja (62.7 %) se te të rinjtë meshkuj (50.7%).
“Pothuaj një e treta (31.1 %) e personave të moshës 15 deri 24 vjeçare në Kosovë nuk ishin në shkollim, punësim apo trajnim. Kjo shifër është 31.0 % për femrat e reja krahasuar me 31.2 % për të rinjtë meshkuj”, tregojnë të dhënat e anketës.
Pjesa më e madhe e atyre që janë të punësuar raportojnë të punojnë me orar të plotë. Rreth 95.8 % e të intervistuarve raportuan se punojnë me orar të plotë në punën e tyre kryesore.
Pra, arsyet e të punuarit me orar të pjesshëm dallojnë midis dy gjinive, pasi gratë, duke marrë përsipër më shumë rolin e kujdesit brenda familjes, reduktojnë orët në dispozicion për punësim.
Sipas rezultateve, arsyeja nr.1 për meshkujt pse nuk punojnë me orar të plotë, ishte mungesa e një pune me orar të plotë. Pra 19.8 % e personave të punësuar i përkiste kategorisë së punësimit të paqëndrueshëm. Kjo do të thotë se ata ose janë të punësuar në biznesin e tyre (punëtorë për llogari vetanake), ose kontribuojnë në një biznes familjar (të paguar ose të papaguar).
Ky anketim gjithashtu tregon se vetëm 18.9 % e personave të punësuar kishin kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 81.1 % kishin kontratë të përkohshme, pa dallime sinjifikante midis meshkujve dhe femrave.
Personat, që kishin kontrata të përkohshme, u pyetën se pse kishin këtë lloj kontrate dhe 75.8 % e të intervistuarve raportuan se nuk kishte kontratë tjetër në dispozicion.
Pagat neto të shumicës së punonjësve ishin midis 300 euro deri 400 euro në muaj. Janë vërejtur dallime gjinore me 5.9 % më e lartë te meshkujt se sa te femrat. (tesheshi)