Një paciente me fruth është hospitalizuar në Klinikën Infektive

Një paciente me fruth është hospitalizuar në Klinikën Infektive
 Tre pacientë me simptoma të fruthit janë kontrolluar gjatë ditës së djeshme në Klinikën për Sëmundje Infektive prej të cilëve dy pacientë të rritur janë kontrolluar në ambulantë  dhe janë lëshuar  për shërim shtëpiak, ndërsa një paciente është hospitalizuar  në Klinikë. Bëhet fjalë për një paciente 29 vjeçare nga Shkupi, pa të dhëna për statusin e vaksinave, kumtoi Ministria e Shëndetësisë sipas të dhënave të Klinikës.

Në Klinikën infektive, siç potencohet, për momentin janë hospitalizuar 19 të rritur dhe 18 fëmijë me fruth. Njëri pacient është në gjendje të rëndë në repartin për  shërim intensiv.

Sipas të dhënave të Institutit për shëndet publik, në periudhën nga data 2 deri më 8 mars janë paraqitur gjithsej 83 raste të dyshuara të fruthit,  derisa nga fillimi i epidemisë në Shkup, gjithsej janë regjistruar 493 raste të fruthit.

Nga fillimi i epidemisë, numri i tërësishëm i personave të vaksinuar  në Shkup pothuajse është 10.000 persona,  derisa numri i tërësishëm i personave të vaksinuar të moshës deri 14 vjet me vaksinën MRP nga fillimi i epidemisë në shtet arrin 15.151 persona. Përgjegjësia e lartë e  vaksinimit do të kontribuojë për ngritjen e imunitetit kolektiv.

Ndryshe, gjatë javës së kaluar në Institutin për shëndet publik janë paraqitur 2.678 raste me simptoma të gripit, që është për 16,5 për qind zvogëlim krahasuar me javën para asaj. Numri i tërësishëm i personave të sëmurë nga gripi këtë sezon arrin 15.201 persona.