Zaev pret hap pozitiv për ligjin për prokurorinë publike

Zaev pret hap pozitiv për ligjin për prokurorinë publike
Kryeministri Zoran Zaev sot deklaroi se pret gjatë fundjavës të vazhdojnë bisedimet mes grupeve të punës të Qeverisë dhe të opozitës për ligjin për prokurorinë publike me të cilin duhet të zgjidhet statusi i ardhshëm i PSP-së. Shpreson se do të bëhet hap pozitiv në bisedimet me VMRO-DPMNE-në, si dhe me grupet e tjera parlamentare.

“Mbrëmë patëm takim me deputetët, biseduam për thelbin e ligjit. Bisedimet vazhdojnë. besoj se gjatë fundjavës më së voni do të vazhdojë takimi mes ministres së Drejtësisë së bashku me ekipin e saj nga Qeveria me partinë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE. Besoj se këtu do të kemi hap të konsiderueshëm përpara, në mënyrë që më tutje t’i presim edhe hapat e tjerë pozitivë edhe me grupin e ri parlamentar të VMRO-DPMNE-së, përkatësisht tetë deputetët, e më tej me Aleancën për shqiptarët, por edhe me Lëvizjen BESA dhe me përfaqësuesit e tjerë në Parlament”, deklaroi Zaev duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve gjatë vizitës së sotme në Ohër.

Pushteti dhe opozita dje mbajtën takim për ligjin për prokurorinë publike në Ministrinë e Drejtësisë, por nuk arritën marrëveshje.

Mbeten dallimet kyçe rreth statusit të PSP-së dhe përdorimit të audio materialeve, por siç deklaruan pjesëmarrësit pas takimit të mbrëmshëm, ekziston disponimi për vazhdimin e bisedimeve.

Zaev dhe Deskoska dje patën takim edhe me dy partitë opozitare shqiptare – Aleancën për shqiptarët dhe Lëvizjen BESA, të cilat dhanë mbështetje për ekzistimin e PSP-së si organ i posaçëm në suaza të prokurorisë.

Pushteti shpreson se do të sigurohet shumica e nevojshme prej dy të tretave dhe ligji do të sillet para zgjedhjeve. Ai është edhe një prej kushteve për hapje të negociatave me BE-në në qershor.